Xhetan Daci, historia e desantit të kompanisë 4000

0
441

Dokumenti i përfaqësimit që iu gjet Xhetan Dacit, nënshkruar nga Zef Pali (Balli Kombëtar), Sait Kryeziu (Partia Fshatare) dhe Gaqo Gogo (Legaliteti)

Xhetan Daci (1918-1952) nga Gjorica e Dibrës është njëri nga desantët për të cilët nuk është ditur deri tani fundi i jetës. Nikolas Bethel në librin e tij “Tradhtia e madhe”, duke mos pasur informacion, gabon kur shkuan se Xhetani u vra në çastin kur u zbarkoi në tokë. Historia e Xhetanit, si përfaqësues i Legalitetit, e zbardhur së fundmi është vërtet interesante.

Duke qenë ushtar i kufirit në Gjirokastër, pas 28 muajsh ushtri, i mërzitur tej mase nga jetesa e atjeshme, Xhetan Daci arratiset më 4 dhjetor 1946 nga Shqipëria nga posta e Koshovicës në Gjirokastër. Nga Janina kalon në Athinë e më pas në Pire në kampin Haxhi Qirjako. Këtu ku ishin rreth 50-60 veta ka njohur emigrantë të tjerë si: Muharrem Bajraktari, Fiqri Dine, Tako Baçi, Dilaver Dine, Myftar Spahia, Hysni Dema, Abaz Ermenji, etj. Në shkurt 1948 zhvendoset në kampin tjetër të Llavrosit, afër Athinës. Prej andej, më 27 mars 1949 mbërrin në Bari të Italisë bashkë me emigrantë të tjerë politikë dhe bëhet anëtar i Partisë së Legalitetit. Vendoset në kampin e Santo Feros, që drejtohej nga një britanik. Në maj 1950 në kamp vjet legalisti Gaqo Goga, i cili i ka thënë se do niseshin për kurs në RFGJ për t’u përgatitur nga amerikanët. Nisja për në RFGJ është bërë më 5 qershor 1950, gjithsej 96 veta. Fillimisht me makinë në Bari, e pastaj me tren deri në Gjermani. Në kazermat e Kasfledit janë ndarë në tre toga të drejtuara nga Xhemal Laçi, Rustem Kuçka dhe Kolë Hila. Xhetani thotë se me të mbërritur në Shqipëri duhej të takonin Dali Kurtin, të cilin e njihnin si komandant të Frontit të Rezistencës. Por kontakt paraprak me të nuk kishin e nuk dinin si do t’i priste. Pastaj detyra ishte të mblidhnin informata ushtarake të shpërndarjes së ushtrisë e mjeteve, informata politike për gjendjen e moralin, informata ekonomike për gjendjen në vend, etj.

Grupet e desantimit të forcave si përfaqësues të Komitetit Shqipëria e Lirë ishin:

-Adem Gjura (kryetar), Sali Dalliu (nënkryetar), Selim Daci, Xhetan Daci dhe Iljaz Toptani do hidheshin në Martanesh (grupi i Peshkopisë, ose grupi jeshil).

-Myftar Maloku (Planeja) (kryetar), Ramazan Cenaj, Halil Nerguti, dhe Rexhë Berisha do hidheshin në Lumë të Kukësit (grupi i Lumës ose grupi i kuq).

Piloti polak u nis drejt Shqipërisë më 3 nëntor 1950. Ai nuk mund ta dallojë zonën e Martaneshit dhe u kthye në Athinë. U rinisën sërish më 11 nëntor 1950, por prapë nuk mundi ta gjente Martaneshin piloti. U hodhën sipas radhës: Adem Gjura, Selim Daci, Sali Dalliu, Xhetan Daci, Iljaz Toptani. Sipas dokumentacionit arrestimi i Xhetan Dacit është kontradiktor. Në disa dokumente thuhet se u dorëzua, ndërsa në disa të tjera se u arrestua. /"55", Kastriot Dervishi"/

S'KA KOMENTE