Pas demonstratës së heshtur të Shkodrës, së datës 14 janar 1990, brenda muajit u zhvillua një demonstratë tjetër e heshtur, më 28 janar 1990, por këtë herë në kryeqytet. Ishte protesta e parë kundër diktaturës komuniste, shenja e parë se edhe Shqipëria nuk mund të mos i bashkohej ngjarjeve në Lindje. Më 22.1.1990, në plenumin e 9-të, Ramiz Alia teksa diskutoi për çështjet e lidhjes së partisë me masat, përsosjen e përzgjedhjen e kuadrove, luftë kundër burokratizmit, revolucionarizmin e jetës së vendit e “përsosja e demokracisë socialiste”, deklaronte se në vendet e Lindjes, në Poloni, Hungari, Çekosllovaki, RDGJ,
“Këto fushata gjithnjë kanë dështuar me turp. Shqipëria jonë, për të cilën kanë luftuar e vdekur breza të tërë patriotësh, ka qëndruar kurdoherë kala e pamposhtur. Kështu do të jetë e do qëndrojë sa të jetë jeta. Le të lehin sa të duan armiqtë e Shqipërisë, karvani ynë ecën e do të ecë gjithnjë përpara”-deklaronte Alia.
Demonstrata u zhvillua ora 18.00 të datës 28 janar 1990 në sheshin “Skënderbej”. Regjimi ndërmori ndalime paraprake.
Prej ditësh në Tiranës kishte pasur fjalë për organizim demonstratash. Për këtë arsye, ministri i Punëve të Brendshme, Simon Stefani, miratoi një plan masash një ditë para zhvillimit të demonstratës, më 27 janar 1990, i cili quhej “Plan masash operativo – ushtarak për parandalimin e goditjen e veprimtarisë armiqësore e keqbërëse të mundshme nga një grup personash të organizuar në qytetin e Tiranës”.
Raporti i Hetuesisë së Përgjithshme
Në raportin nr.199, datës 14.2.1990 të Hetuesisë së Përgjithshme, thuhej se më 26.1.1990 nga Sigurimi i Shtetit u ndaluan 15 persona nga Tirana (në fakt listohen 13 plus një) “për agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Të ndaluarit (më shumë se 24 orë) ishin:
1-Ardian Skëndo, 27 vjeç, ndihmësmjek në spitalin nr.2 (liruar më 10.2.1991)
2-Vasil Dhimitri, 36 vjeç, punëtor në kombinatin e autotraktorëve
3-Faruk Pica, 33 vjeç, punëtor
4-Zeqir Gollobani, 35 vjeç, elektricist
5-Shefki Glina, 33 vjeç, punëtor (liruar më 10.2.1991)
6-Aleksandër Budo, 35 vjeç, ndihmësmjek (liruar më 10.2.1991)
7-Nikolin Prifti, 35 vjeç, inxhinier mekanik (liruar më 10.2.1991)
8-Romir Papa, 31 vjeç, i papunë
9-Dorian Alla, 28 vjeç, infermier (liruar më 10.2.1991)
10-Ilir Duro, 29 vjeç, mekanik (liruar më 10.2.1991)
11-Enver Tomani, 38 vjeç, minator
12-Agron Llapi, 35 vjeç, punëtor (liruar më 10.2.1991)
13-Nezir Stërmasi, 53 vjeç, punëtor, tri herë i dënuar politik (liruar më 10.2.1991)
14-Bujar Gjondedaj (është harruar në pjesën e parë të raportit, liruar më 10.2.1991)
Emra të tjerë që nuk përmenden në këtë listim janë edhe:
-Eno Kapo (ndaluar vetëm më 30.1.1991)
-Agim Gora
-Agron Leka Muço, inxhinier mekanik (liruar më 10.2.1991).
Procedimi penal
Aktakuza ndaj Vasil Dhimitrit, Zeqir Gollobanit dhe Faruk Picës u formulua më 19.5.1990 nga hetuesi Petrit Serjani. Pavarësisht se Vasili nuk i njihte dy të tjerët ata u akuzuan së bashku sepse pushteti nuk kishte kohë për gjyqe të posaçme.
Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.285, datë 21.6.1990, i deklaroi fajtorë të pandehurit në bazë të nenit 55/1 duke i dënuar si vijon:
-Vasil Qirjako Dhimitri, lindur më 1954 në Tiranë, mekanik remonti, 2 vjet heqje lirie.
-Zeqir Isuf Gollbani, lindur më 1955 në Tiranë, mekanik, i papunë, 1 vit heqje lirie.
-Faruk Ymer Pica, lindur më 1958 në Tiranë, elektricist pranë uzinës “Dajti”, 9 muaj heqje lirie.
U la në fuqi me vendimin nr.71, datë 30.7.1990 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.