Premiera në Shkodër, Kujto.al sjell jetën e Hafiz Ali Krajës

0
357

Një film dokumentar për klerikun e shquar shkodran Hafiz Ali Kraja, “Kryet nalt” u shfaq mbrëmë premierë në kinemanë e qytetit të Shkodrës, në praninë e qindra pjesëmarrësve. Ky dokumentar, i realizuar nga gazetarja Luljeta Progni me Fondacionin Kujto.al, tregon kalvarin e gjatë të persekutimit të një prej klerikëve shqiptarë më të ditur, diplomuar në tre universitete dhe zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja. Kalvari i gjatë i persekutimeve që nga internimi prej fashistëve italianë, përndjekja ndaj tij dhe familjes prej komunistëve dhe vuajtjet për 18 vjet në kampet e punës e burgun e Burrelit, ishin pjesë e dokumentarit.
(Për të parë dokumentarin, klikoni këtu.)

Themeluesi i Fondacionit Kujto, Agron Shehaj, u shpreh se fatkeqësisht një pjesë e madhe e shoqërisë kërkon të mos shohë, ose më keq, të mohojë krimet e komunizmit. “Në fakt, mohuesi kryesor i krimeve të komunizmit është pikërisht shteti, dhe për të kuptuar këtë, mjafton të shohësh librat shkollorë që nuk kanë asnjë fjali për krimet e komunizmit. Në këto kushte, i takon shoqërisë civile, njerëzve të thjeshtë të bëjnë sa më shumë që viktimat e regjimit komunist mos të harrohen, dhe fondacioni Kujto dhe cikli i dokumentarëve ka pikërisht këtë qëllim”, tha Shehaj.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu vlerësoi dokumentarin duke shprehur falenderime për kontributin e fondacionit Kujto, dhe u ndal në trashëgiminë shpirtërore dhe intelektuale të Hafiz Ali Krajës. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi tha se Hafiz Ali Kraja është pjesë e trashëgimisë së madhe të Shkodrës dhe ende sot mes banorëve të saj, kujtohet kleriku i ditur.

“Kryet nalt” është i 6-ti dokumentar që vjen i prodhuar nga Fondacioni Kujto.al, i themeluar nga Agron Shehaj. Ky cikël dokumentarësh, së bashku me punën kërkimore të evidentimit të krimeve dhe viktimave të komunizmit të publikuara në internet, synojnë rritjen e kulturës së kujtesës në shoqërinë shqiptare, për të dënuar krimet e komunizmit./kujto.al

S'KA KOMENTE