"Ata dy arkivolë, i lanë te dera e kampit vertikalisht, që sa herë numëroheshin të burgosurit, t’i shihnin aty. Kur vinin të burgosur të rinj, tmerroheshin...”
“Përditë vdisnin të burgosur në minierë, dhe nuk i lejonin as familjet të merrnin kufomat, por i varrosnin nëpër prroska. Bile ndodhi njëherë që vdiqën dy vetë; këta ishin të burgosur ordinerë, sepse kemi pasur edhe ordinerë në Spaç, jo të përzier me ne, por të ndarë, madje edhe frontet e punës ishin të ndara për ordinerët dhe politikët”, kështu rrëfen Prel Syku, I burgosur politik në diktaurë. Ai ka kryer 22 vjet burg në burgje të ndryshme të diktaturës komuniste por ai i Spaçit, ka mbetur si dhimbje e madhe në kujtesën e tij. Komanda atë kohë kishte zdrukthtari, furrë pjekjeje dhe një ekonomi ndihmëse me derra. Përgatitën në zdrukthtari dy arkivole për të burgosurit që vdiqën në minierë, sepse sipas ligjit, kufomat e ordinerëve lejohej që t’i merrte familja. Dhe ata dy arkivolë, i lanë te dera e kampit vertikalisht, që sa herë numëroheshin të burgosurit, t’i shihnin aty. Kur vinin të burgosur të rinj, tmerroheshin.
Pastaj nja treqind prej nesh, na transferuan në qytetin e Bulqizës. Përgjegjës kishim Shkëlqim Bumçin, i cili kishte qenë i martuar me të bijën e Spiro Kolekës. Ishte burrë i mirë, të them të vërtetën. Ia ndau vajzën Spiros, dhe e dënuan 20 vjet. Në Bulqizë na lanë nja tre muaj për të ndërtuar qytetin, dhe pastaj na kthyen prapë në Spaç.
Dhe ngrihen këta të Rehabilitimit, dhe i qëndisin një telegram me ngushëllime Komitetit Qëndror edhe familjes së Enver Hoxhës, dhe e vënë në stendë të emulacionit, sepse ata që punonin në minierë, kishin edhe stendë emulacioni. Një i burgosur nga Mallakastra, që flinte afër meje, shkoi, e lexoi dhe erdhi dhe më tha: “Këqyr se çfarë kanë bërë këta qelbësira!” Ai quhej Fetah Malasi; kishte qenë i arratisur dhe ishte kthyer me amnistinë e rrejshme që shpalli shteti shqiptar për të arratisurit. Filloi të shante me vete dhe u ul dhe shkroi një letër, pak a shumë të tillë:
KOMITETIT QËNDROR
Letrat dhe telegramet e ngushëllimit për Enver Hoxhën janë fallso. Ato i ka shkruar Komanda me spiunët e vet. Neve nuk na ha meraku për Enver Hoxhën.
E mbylli letrën dhe e nisi. Komiteti Qëndror, pasi e merr, dërgon dy të deleguar në kamp. I tregojnë Komandantit dhe Komisarit si ishte puna, pra për letrën që kishin marrë. “Ne e kemi verifikuar; ata kanë dashur vetë të shkruajnë telegrame” - përgjigjet komanda. “Ne do të verifikojmë, gjithsesi” - këmbëngulin të deleguarit. Erdhën në kapanonin ku isha unë; ishim 200 vetë në atë kapanon, me shtrerërit të ngjeshur si të ishim pula, sepse neve politikëve, na nxorën nga pallatet dhe na futën në kapanone kur u bë amnistia, ngaqë mbetëm më pak. Kur hynë, ishte momenti i leximit të shtypit. Na detyronin të lexonim për ditë librin “Mërgata e qyqeve”, që ishte shkruar për të arratisurit. Këtë dhe veprat e Enverit. Kur hynë, m’u tek ishte një Pirro Frashëri, prej Berati. Edhe ai i burgosur si unë,
Po me atë zotërinë prej Mallakastre që shkroi letrën çfarë ndodhi?
Atij nuk i bënë zë fare për ca kohë. Pas një muaji, erdhën dhe e morën; e çuan në birucë. Fati i atij qe, se i erdhi transferimi për Burrel brenda njëzet e katër orëve dhe nuk e mbajtën shumë atje, se do të vdiste. E rrahën dhe e torturuan boll atë natë, e munduan boll, por pastaj e çuan në Burrel...
Në atë periudhë, mua më vdiq baba. Erdhën familja në takim dhe më kallëzuan. I shkrova një letër ngushëllimi familjes, të cilën e ruaj edhe tani, ku i thosha “Zoti ju dhashtë forcë e ju ruajtë tjerët çka jeni. Baba ka pasur kohën e vet, por më vjen keq që ka shkuar i dëshpëruar, se nuk kam qenë as unë në shtëpi…” Më thirri operativi dhe më tha: “Ti je Prelë Syku?” “Po” - i thashë. “Ti shkruake bukur,” - më tha. “Kam pasur kohë boll me mësue.” – i thashë.”Letra nuk lejohet të shkojë, se ke përmendur Zotin” - tha dhe i vuri një kryq të madh letrës. “Zoti është i ndaluar me ligj.”
“Por ne nuk e kemi si ju, - i thashë. Ne nuk themi “të rroni vetë”, por themi “Zoti ju dhashtë forcë e t’ju rrojnë të tjerët.” “Nuk lejohet, - më tha; mirë që nuk ta kam shqyer.” Dhe ma dorëzoi letrën. Letra nuk i shkoi familjes. Merre me mend si ishte puna: nuk lejohej të përmendje ‘Zotin’, as në një letër drejtuar familjes.
Deri kur ndejtët në burg?
Derisa e plotësova dënimin krejtësisht: deri në vitin 1988. Në burgun e dytë, i bëra të plota të dhjetë vjetët. Në burgun e dytë e lashë gruan me katër fëmijë; më të madhin 8 vjeç dhe më të voglin 4 muajsh. Pra, kam bërë 22 vjet burg gjithsej.
Rrëfimi është marrë nga "Zërat e Kujtesës" me autorë Agron Tufa e Luljeta Lleshanaku.