I lindur më 5.5.1932 në Letaj të Kukësit, Sali Man Çuni jetonte familjarisht prej vitit 1949 në Jugosllavi. Ishte i arratisur, por në bazë të amnistisë së vitit 1956, nga malli për atdheun, u riatdhesua në vitin 1957. Menjëherë u trajtua si “armik i pushtetit popullor” dhe u internua në fshatrat e Lushnjes.U dënua tri herë. Hyri në burg në moshën 25 vjeç dhe doli prej andej në moshën 58 vjeç. Në vitet 1957-1967 dhe 1968-1990 vuajti plot 32 vjet, 8 muaj, 13 ditë heqje lirie.

Herën e parë u arrestua më 6.11.1957 kur tentoi të arratiset nga Qafa e Thanës. Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.14, datë 10.3.1958, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet burgim e konfiskim të pasurisë dhe humbjen e të drejtave zgjedhore për 3 vjet. Por në bazë të dekretit nr.2548, datë 27.11.1957, dënimi iu ul në 15 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.42, datë 12.4.1958 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U lirua më 31.12.1967.

Herën e dytë u arrestua më 23.6.1968 përsëri për tentativë arratisjeje. Gjykata e Qarkut Shkodër me vendimin nr.31, datë 26.8.1968, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie e konfiskim të pasurisë. U la në fuqi me vendimin nr.129, datë 30.9.1968 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Herën e tretë u dënua kur po vuante dënimin në kampin e Spaçit, për shkak se mori pjesë në revoltën e të burgosurve të këtij kampi në maj të vitit 1973.

Me vendimin nr.34, datë 13.7.1973 Gjykata Popullore e Rrethit të Mirditës, e përbërë nga Filip Lako dhe ndihmësgjyqtarët Pjetër Nikolli e Gjin Pali, duke pasur pranë prokurorin Zef Deda dha vendimin për grupin e tretë, natyrisht shoqëruar me konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore. Dënohet në bashkim të dënimeve me 20 vjet burg.

U lirua më 10.1.1991 nga Reparti nr.305 Përparim.

Burimi: https://kujto.al/45-vjetori-i-revoltes-se-spacit-dosja-e-plote-e-ngjarjes-shkaqet-pasojat-dhe-xhelatet/
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.