Lindi më 1901, në Elbasan. Më 9 qershor 1995, me vendim nr. 1215, Gjykata e Shkodrës njohu faktin e vrasjes nga forcat e diktaturës më 17 maj 1952.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist IV (Tiranë: ISKK, 2015), 163

Kishte studiuar në Monpelje të Francës dhe Liezh të Belgjikës për Shkenca Tregtare. Në vitin 1934 ishte kthyer në Shqipëri ku nisi punë si mësues në Gjirokastër. Për 10 vjet nga viti 1935-1945 punoi në Ministrinë e Financave në degën e Thesarit të Shtetit. Më pas punoi në Kuçovë deri në prill 1947. Nga aty u vendos në Korçë, ku dhe u arrestua më 9 shtator në ndërmarrjen ku punonte, pasi ndiqej prej kohësh nga Sigurimi. Hetuesia e tij zgjati 9 muaj. Gjyqi u zhvillua më 13 mars 1952 dhe u dënua me pushkatim për "dëmtim të pasurisë socialiste dhe neglizhencë në punë", një akuzë për të cilën së fundmi ishte vendosur dënimi me ekzekutim. Ishte baba i dy fëmijëve, më i vogli 9 vjeç, të cilët bashkë me të ëmën, si e parashikonte ligji, i dërguan kërkesa faljeje Presidiumit të Kuvendit Popullor. Pas një muaji e gjysmë erdhi përgjigjja që kërkesat nuk ishin marrë parasysh. Kur bashkëshortja, Maria dhe djali i vogël, Franko, shkuan t'i çojnë ushqimin, si bënin zakonisht në "Hanin me dy porta" të shndërruar në burg, në qytetin e Korçës, polici i thotë që Niko Karafilin e kishin pushkatuar atë mëngjes. Ishte data 17 maj 1952. Sipas informacioneve të mbledhura, bashkëshortja e tij dhe e drejtorit të ndërmarrjes që ishte ekzektuar bashkë me Niko Karafilin, e gjetën vendin ku ishin varrosur. Dy gratë vendosën nga një shenjë në atë vend, pranë "gropës së gëlqeres". Maria shkoi rregullisht te ai vend deri në vitin 1957, kur aty nisi ndërtimi i Ndërmarrjes së Metalpunuesve. Me vendosjen e pluralizmit, familja ka bërë kërkesë për kërkimin e eshtrave, por ka marrë përgjigje negative nga Prokuroria e Korçës. Ata këmbëngulin që në atë vend, po të bëhen gërmime do dalin jo vetëm eshtrat e Niko Karafilit, por edhe të të ekzekutuarve të tjerë gjatë diktaturës.
Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=K7Uq9N9yxaM
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.