Haki Mulleti | |
---|---|
Informacione Personale | |
Emër/Mbiemër: | Haki Mulleti |
Atësia: | Reshit |
Vendlindja: | Tiranë |
Vendbanimi: | Tirane1 |
Datëlindja: | 2/1/1896 |
Gjyqi | |
Data e Arrestimit: | 1945 |
Dënimi: | 3 vjet Burg |
Data e Lirimit: | 1948 |
Lindur në Tiranë. Vëllai i ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti.
Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas studioi në Manastir, kurse studimet e larta i kreu në Universitetin e Vjenës. U diplomua në vitin 1920 dhe u profilizua për buxhetin në legjislacionin e kontabilitetit. Zotëronte 7 gjuhë të huaja si italisht, frëngjisht, gjermanisht, latinisht, turqisht, osmanisht dhe arabisht. Menjëherë pas universitetit emërohet sekretar i dytë në Ministrinë e Brendshme të Sulejman Delvinës. Më pas, më 1924, në qeverinë e Fan Nolit emërohet këshilltar për buxhetin dhe shkarkohet me ardhjen e Zogut si kryeministër dhe nga ky moment ai hap një zyrë private avokatie. Arrestohet dy herë nga Zogu: një herë pas atentatit që iu bë atij në Vjenë më 1931 dhe të dytën, pas kryengritjes së Fierit më 1935, por në të dyja rastet del i pafajshëm pas 1 viti burg. U largua nga Shqipëria në vitin 1944, por u arrestua në Selanik të Greqisë nga komunistët grekë të cilët, duke e ngatërruar me dikë tjetër, e dërgojnë në Shqipëri në bashkëpunim me komunistët shqiptarë të grupit të Korçës. Gjykohet dhe qëndron në burg deri në vitin 1948. Më pas e internojnë në Gosë të Kavajës ku punon në fermë dhe në ndërtim nën presion psikologjik e fizik deri në eliminimin fizik të tij, në rrethana misterioze, në tetor të 1958.
Edhe familja e tij, u internua dhe përjetoi përndjekjen e regjimit. E bija, Fatbardha Saraçi Mulleti, është autore e disa botimeve që sjellin historitë e persekutimeve gjatë regjimit komunist në Shqipëri.