Ushtarak i lartë, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare, themelues dhe drejtues i së parës shkollë xhandarmërie, krijues i repartit të xhenios, krijues i Topografisë Ushtarake. Lindi në lagjen "Xhami" të qytetit të Përmetit, më 28 nëntor të vitit 1884. Në vitin 1890, filloi mësimet në shkollën turke të qytetit. Gjimnazin e kreu në Greqi. Në vitet 1902-1906, përfundoi studimet ushtarake në Stamboll, ndërsa në vitet 1906-1908 kreu dhe Akademinë e Lartë Ushtarake. Pas diplomimit, ushtroi detyra të rëndësishme në radhët e ushtrisë perandorake. Më 1911, në moshën 27-vjeçare, mori gradën gjeneral në ushtrinë osmane. Krahas Mehmet Pashë Derallës dhe Shevqet Shkupit, ishte një nga organizatorët e ushtrisë së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Gjatë Luftërave Ballkanike, udhëhoqi forcat shqiptare kundër ushtrisë greke në jug të vendit. Më 1914, emigroi në Amerikë, ku u zgjodh menaxher i gazetës "Dielli". Në janar të vitit 1920, shoqëria "Vatra" e caktoi në krye të vullnetarëve shqiptarë që do të viheshin në dispozicion të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, dhe më 29 mars 1920 ai zbriti në Shqipëri, në krye të një trupe vullnetarësh prej rreth 300 vetësh. Më pas u caktua komandat i xhandarmërisë për të rikthyer rendin në Shqipërinë e Mesme. Pasi eliminoi forcat esadiste në Durrës, Shijak, Tiranë dhe Elbasan, u nis për në Vlorë, ku mori pjesë direkt në luftë dhe dha një kontribut të madh për organizimin dhe drejtimin e formacioneve luftarake. Pas mbarimit të Luftës së Vlorës, u emërua në krye të xhandarmërisë së Korçës. Në fund të gushtit të viti 1923, u catua Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare. Të njëjtin funksion mbajti edhe gjatë qeverisë së Fan Nolit. Pas rrëzimit të saj, u largua nga Shqipëria. U rikthye pas amnistisë së vitit 1926. U rekrutua sërish me gradën e majorit në xhandarmërinë shqiptare, dhe u mor me organizimin dhe drejtimin e së parës shkollë xhandarmërie në Shkodër. Pas konsolidimit të shkollës, kaloi me të njëjtën gradë në ushtri, duke marrë përsipër krijimin e repartit së xhenios, të cilin e komandoi deri në fund të qershorit të vitit 1928. Më pas iu ngarkua krijimi dhe drejtimi i fermës së parë ushtarake në Shqipëri. Pas afër tre vjetësh qëndrim në këtë post, iu besua ndërtimi, organizimi dhe drejtimi i Topografisë Ushtarake (prill 1931-shkurt 1933). Pastaj u emërua drejtues në shkollën e perfeksionimit të oficerëve. Në tetor të vitit 1940, me fillimin e Luftës Italo-Greke, nuk pranoi të vihet në krye të trupave të batalioneve "Tomori" dhe "Taraboshi" për të luftuar në krah të forcave italiane, ndaj dhe u shkarkua nga çdo funksion ushtarak. Në janar të vitit 1942, u emërua në administratën civile të Kosovës, duke kryer funksione dhe detyra të ndryshme. Pas kapitullimit të Italisë, u emërua nën/ Komisar i Kosovës. Në këtë kohë kishte marrë edhe gradën e lartë ushtarake të Gjeneralit të Divizionit. Së bashku me një grup arsimtarësh shqiptarë, që e shoqëruan në Kosovë, filloi organizimin e shkollave shqipe në atë krahinë. Në fillim të viti 1944, u kthye pranë familjes në Shqipëri dhe nuk u përfshi në luftën civile. Me gjithë kërkesën e bërë nga Shtabi i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, nuk mori pjesë në radhët partizane. U arrestua më 18 nëntor 1944, bashkë me dy djemtë e tij, Astritin dhe Fetiun dhe, më 13 prill 1945, Gjykata Speciale e Tiranës e dënoi me vdekje si "kriminel lufte". U ekzekutua një ditë më pas, te Kodra e Priftit, në Tiranë, bashkë me 16 persona të tjerë.

Burimi: Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist VI (Tiranë: ISKK, 2017), 147.
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.