Inxhinier, përkthyes, djali i madh i rilindasit Kristo Dako dhe pionieres së arsimit shqiptar, Sevasti Qiriazit. Lindi më 1909, në Manastir, Maqedoni. Emigron në SHBA me familjen në Jamestown, e kryen shkollimin e fillor e të mesëm në SHBA dhe në Shkollën Qiriaz në Tiranë. Përfundon studimet në Universitetin e Oxford-it, në fakultetin e inxhinierisë. Kthehet në Shqipëri më 1940 dhe nga bashkëshortja italiane përfton tri fëmijë, Viktore, Robert, Diana. Familja e Dakos në vitin 1943 u dërgua në kampin nazist të Beogradit, prej nga arriti të lirohet pas një viti. Më 1945, bën pjesë në misionin e UNRRA-s për Shqipërinë. Në tetor 1946, pas prishjes së raporteve diplomatike me SHBA, arrestohet me akuzën si “agjent amerikan” ndërsa kryente detyrën e koordinatorit. Gjyqi zhvillohet pas dy vjetësh arrest. Më 5 maj 1949, me vendim nr. 58, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi për «faje penale kundër popullit dhe shtetit», me 7 vjet burg me punë të detyruar dhe humbjen e të drejtës elektorale, sipas nenit 37 të Kodit Penal. 1949: i vdes e ëma Sevastia kur ishte në burg. 1953 lirohet nga burgu.

E internojnë familjarisht në Tepelenë bashkë me tezen, Parashqevinë për t’u kthyer në Tiranë më 1970. Në janar 1976 në shtëpinë e tij u fut familja e funksionarit T.B.. Kur kthehet në Tiranë, në vitin 1977, Aleksandri kërkon që t'i lirohej banesa, e uzurpuar me manipulime dokumentesh. Gjykata i jep të drejtë, urdhëron T.B. të lërë banesën dhe Aleksandri rivendoset aty.

Vdiq në Tiranë, më 1995.

Vepra: "Kol. Deivid Smaili: Me detyrë në Shqipëri", përkth. A. Dako, Shtëpia botuese enciklopedike, Tiranë 1993; Monografia Historiografike: "Trinija: Parashqevi Qiriazi, Sevasti, Kristo Dako", dorëshkrim, Tiranë 1989; "Kristo Dako: Shqipëria çelësi kryesor i Lindjes së Afërme", përkth. Leka Ndoja, Arbëria, Tiranë 2003.

Burimi: f. 500; AISKK, F 1. V 2013. D 5/1. Fl.264-265
Ju lutem, plotesoni fushat e kerkuara.
Mbyll formen

Ju lutem zgjidhni imazhin qe do te ngarkoni.