Para pushkatimit/ Hilmi Hysi i shkruan letër bijës së tij, ku i lë amanetet e fundit: "Tani që të shkruaj, të shoh sikur të kam përpara; shoh lotët e tu. Lidja! Derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde Lili (Lidja) ime e dashur, fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e lër veten të shuhesh në hidhërim. Në rastet më të vështira, mendo se edhe yt atë ka vuajtur shumë dhe mos u dëshpëro. Kujdes Lili, kujdes në çdo hap të jetës tënde. Këto ishin porositë dhe lutjet e mia të fundit".
Historia e dhimbshme e 35-vjeçarit të diplomuar në Montpellier, në Francë që u dënua me pushkatim nga shoku i tij i shkollës, diktatori Enver Hoxha
Nga Luljeta Progni
Letër vajzës 6-vjeçare, ishte i fundit mendim për Hilmi Hysin, para se ta pushkatonin. Ishte dita e fundit, orët e fundit. Hilmi Hysi kërkoi nga drejtuesit e burgut që të lejohej të takonte doktor Zymën, që ishte caktuar të mjekonte të burgosurit. E kishte njohur kohë më parë dhe kishin qenë miq. Qëllimi i vetëm i këtij takimi, nuk ishte mjekimi i plagëve, por letra që kishte shkruar për Lidian. Pas një bisede me dhimbje me mikun e tij doktor Zyma, Hilmiu i la letrën dhe nisi rrugën e kthimit në qelinë ku po priste nga momenti në moment, ta merrnin për ta çuar drejt pushkatimit. Doktor Zyma e çoi porosinë në vend, letrën drejtuar Lidjas, ia dorëzoi bashkëshortes së Hilmiut, Myneveres. Është dhimbje çdo shkronjë e rreshtuar në atë copë letër para pushkatimit, dhimbje që do t'i mbetej përjetë në kujtesë bijës së vogël, Lidjas, motrës së saj dhe nënës Mynevere.
Letra!
Lidja ime e dashur!
Je ti vajza më e madhe, je ti ajo që do të të takojë të kesh barrën më të rëndë e kujtimet më të shumta. Unë lë në ty shpresën dhe amanetin e fundit. Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit këto, që më shtynë të shkruaj.
E mendoj dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do vuani, që ju do të mundoheni për kafshatën e bukës thatë, që ju do të zvarriteni rrugë më rrugë... që ju nuk do të njihni ç’është lumturia, sepse do t'ju mungojnë të gjitha.
Po, vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këtë, mos t’ju vijë keq që do të vuani. Jam i bindur se një ditë do të shpëtoni nga të gjitha të këqijat, nga të gjitha vuajtjet.
Dije, Lidja ime e vogël, se ti je shpresa dhe nga sjellja jote do të varet lumturia e nënës dhe motrës sate. Kam bindjen, sigurinë mund të them, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj e lutem: të ruhet emri im dhe i juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë, kërkon nga Lidja e tij e vogël; mos ia moho këtë të drejtë po të mundesh!
Dhe tani që të shkruaj të shoh sikur të kam përpara; shoh lotët e tu. Lili! Derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde Lili ime e dashur, fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e lër veten të shuhesh në hidhërim. Në rastet më të vështira, mendo se edhe yt atë ka vuajtur shumë dhe mos u dëshpëro. Kujdes Lili, kujdes në çdo hap të jetës tënde.
Këto ishin porositë dhe lutjet e mia të fundit.
Me mall të puth yt atë Hilmiu!
Tiranë, Janar 1948
Hilmi Hysi u arrestua në vjeshtën e vitit 1947, i akuzuar për bashkëpunim me grupin e tretë të deputetëve, ku ishte pjesë edhe Riza Dani. Ishte bir i një familjeje me tradita patriotike, nga Vërzhezha e Skraparit. Mësimet e para Hilmiu i kreu në shkollën e Vërzhezhës dhe më pas, shkollën plotore në Fier. Kreu me rezultate të shkëlqyera, medalje të artë, Liceun e Korçës, atje ku krahas gjuhës frënge, mësoi dhe anglisht dhe më pas, filozofi. Në vitin 1932, në kuadrin e 20-vjetorit të formimit të Shtetit të Parë Shqiptar, fitoi Konkursin Kombëtar në Letërsi, me novelën “Shqiptarja përpara rrezikut”. Për rezultate të larta në mësime, fitoi bursë nga qeveria e Zogut për Drejtësi në Francë, ku përfundoi studimet e larta shkëlqyeshëm, si në Bachelor dhe Master (diplomat e tij ndodhen në katin II të Muzeut Kombëtar, Pavijoni i të Përndjekurve Politikë). Studimet në Francë, i nisi më 1 qershor 1935. Në të njëjtën kohë, në atë qytet, ishte edhe Abaz Ermenji, të cilin e kishte pasur nxënës në gjimnazin e Shkodrës. Në të njëjtin qytet në Montpellier, ishte student edhe një tjetër shqiptar që quhej Enver Hoxha. Hilmiu shkëlqeu në universitetin e Montpellier dhe shokët e tij studentë shqiptarë i këshillonte shpesh që të përqëndroheshin tek mësimet. Një prej tyre kishte qenë edhe studenti Enver Hoxha, i cili nuk i ndiqte studimet dhe për këtë, Hilmiu i kishte këshilluar shpesh se ishte atje për të studiuar.
Kjo këshillë dhe gjithçka pa në jetën e dyshimtë të studentit shqiptar nga Gjirokastra, do t'i kthehej në telashin e madh të jetës së tij, do ta çonte drejt pushkatimit.
Sipas Protokollit Nr. 21, dt. 6 prill 1939, Hilmi Hysi përfundon studimet për Drejtësi i jepet: “Diplomë de Baçbelier en Droit, Hilmi Hysi Skrapar-Albania”. Firmosur nga Ministër de Edukation Francë.
Në maj të vitit 1945, Himsi Hysi u emërua kryetar i Gjykatës Gjirokastër, post në të cilin qëndroi për dy vjet. U arrestua më 4 janar 1947, me dekretin Nr. 261 dt. 4 janar 1947, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, pëlqen vendimin e Prokurorit të Republikës, për pushimin nga detyra dhe arrestimin e Hilmi Hysit, “me shërbim në Gjinokastër”.
Gjyqi filloi më 31 dhjetor 1947, një ditë para Vitit të Ri dhe si seancë e parë, mbaroi më 3 janar 1948.
Mbas një viti në hetuesi, Hilmi Hysi u dënua si pjesëmarrës në të ashtuquajturin “Grupi i dytë i deputetëve”. Në këtë grup prej 19 personash, vetëm 6 ishin deputetë, Kostandin Boshnjaku, Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uran Filipi dhe Surja Selfo. Me shumicën e të akuzuarve, Hilmiu nuk njihej as me fytyrë e jo më të bënin komplot.
E dënuan me vdekje, pa marrë parasysh pafajësinë, punën, përkushtimin dhe moshën e tij, akoma nuk i kishte mbushur 35 vjetët. Nuk morën parasysh kontributin e madh që kishte dhënë vetë dhe gjithë familja e tij. Vëllai i Hilmiut, Abdullai, kishte qenë në kamp përqendrimi në Kretë dhe u angazhua më pas me lëvizjen komuniste.
Gjyqi ndaj Himli Hysit e 19 të tjerëve nisi më 31 dhjetor 1947, dhe përfundoi më 3 janar 1948. U dënuan me pushkatim Hilmi Hysi, Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uran Filipi, Surja Selfo, Hasan Reçi. Me burgim të përjetshëm u dënuan: Kostandin Boshnjaku, Isuf Hysenbegasi, Demir Kallamata, Hivzi Kokolari, Mestan Ujaniku, Nexhi Bakalli, Ibrahim Hasën, Arif Gjyli, Bexhet Shehu. Ndërsa Adem Beli u dënua me 20 vjet burg, Halit Gjolena me 20 vjet burg, Kamber Backa me 15 vjet burg.
Materialet dhe letra janë marrë nga libri "Dosja e Diktaturës", me autor Pjetër Pepa. Të dhënat për Hilmi Hysin, para se të burgosej janë marrë nga një artikull me titull: Hilmi Hysi, njeriu që nuk e kuptoi kurrë kujt ia pati borxh jetën e tij të re dhe të pafajshme" me autor Gjergj Qafoku.