Fondacioni Kujto.al akordon Bursë Studimi Master për një student/e të Degës Histori, me temë studimi për Zbardhjen e Krimeve të Komunizmit.
Bursa e studimit synon mbështetjen financiare për kryerjen e studimeve Master Shkencor, për realizimin e kërkimit shkencor si dhe botimin e punimit shkencor si një libër studimor.
Deklaruar nga themeluesi i Fondacionit
z. AGRON SHEHAJ
Fondacioni Kujto.al ka vendosur të financojë një bursë studimi në Master, për studentët që duan të bëjnë studime mbi çështjen e Krimeve të Komunizmit. Do të ketë një komision profesionistësh të fushës që do të vlerësojë kandidaturat dhe temat e propozuara, mbi bazën e të cilave do të përzgjidhet fituesi. Kjo bursë është një nxitje për të rinjtë që duan të studiojnë e të mësojnë më tepër për atë periudhë të errët, që akoma nuk është zbardhur siç duhet, e po ashtu është një mbështetje për të rinjtë e talentuar që duan të bëjnë punë serioze kërkimore e shkencore.
Fondacioni Kujto.al ka mision zbardhjen e Krimeve të Komunizmit, që çfarë ka ndodhur të mos lihet në harresë, por t’u tregohet brezave të rinj. Vetëm kjo do të na garantojë që e shkuara nuk do të përsëritet më.